Pajisjet e rrugëtimit në modelin hierarkik tre shtresor të rrjeteve


Modeli hierarkik i rrjeteve tenton të copëtoj problemet komplekse të rrjeteve në pjesë më të vogla dhe më të menaxhueshme. Secili nivel i rrjetit hierarkik tenton të zgjidh grupe të ndryshme të problemeve duke i ndihmuar dizajnuesit të rrjetit që të optimizojë harduerin dhe softuerin e rrjetave për të kryer detyra të caktuara.

Në modelin hierarkik tre shtresor, linjat dhe pajisjet e rrjeteve grupohen në tre shtresa bazë e ato janë:

  • Shtresa e bërthamës
  • Shtresa e distribucionit
  • Shtresa e qasjes

Modeli hierarkik tre shtresor paraqet një kornizë konceptuale abstrakte të një rrjete ngjashëm me konceptin e modelit referues OSI. Modelet shtresore janë të dobishme për arsye se mundësojnë modularitetin. dhe ku pajisjet e rrjetit në çdo shtresë kanë funksione të ngjashme dhe mirë të përcaktuara duke ofruar fleksibilitet dhe përshtatshmërinë gjë që i bën rrjetet hierarkike shumë të shkallëzueshme (figura 1).

Modeli treshtresor i rrjetit

Figure 1. Modeli tre shtresor i rrjetit

Çdo shtresë e modelit hierarkik tre shtresor mund të përmbajë këto pajisje:

  • Ruter
  • Suiç
  • Linja komunikimi

Shtresa e bërthamës (ang. Core layer) – apo siç njihet ndryshe shtresa e shtyllës së rrjetit, ofron një strukturë të optimizuar dhe të besueshëm duke e përcjellur dhe komutuar trafikun e paketave me shpejtësi shumë të lartë. Pajisjet e shtresës së bërthamës nuk duhet të merren me procese që do të pengonin komutimin e paketave me shpejtësi të madhe. Në mesin e këtyre proceseve të ndaluara mund të përmendim:

  • Listat e kontrollit të qasjes
  • Enkriptimi i të dhënave
  • Përkthimi i adresave (NAT)

Shtresa e bërthamës si pjesë qendrore e rrjetit është e dizajnuar që të ofrojë transmetim të shpejt dhe të besueshëm të paketave. Këtë e arrin duke implementuar linja WAN redundante dhe me shpejtësi të lart transmetimi sikur që janë:

  • Linjat T1 me bandwidth prej 1,544 Mbps
  • Linjat T3 me bandwidth prej  44,736 Mbps
  • Linjat OC3 me bandwidth prej 155 Mbps

Zakonisht për ti plotësuar të gjitha funksionet e shtresës së bërthamës, në këtë nivel do të përdorim pajisje rrugëtimi të fuqishme që në vete inkorporojnë teknologji të komutimit të shpejt të paketave dhe numër të madh të ndërfaqeve fizike.

Shtresa e distribucionit (ang. Distribution layer) – ndodhet në mes të shtresës së qasjes dhe asaj të bërthamës duke na ndihmuar të diferencojmë bërthamën nga pjesa tjetër e rrjetit. Qëllimi i kësaj shtrese është që të ofrojë definimin e kufirit logjik duke përdorur listat e kontrollit të qasjeve dhe filtra të tjerë për të kufizuar trafikun që të futet në shtresën e bërthamës. Prandaj kjo shtresë definon politikat për trajtimin e llojeve të caktuar të trafikut duke përfshirë këtu:

  • Përditësimet e rrugëtimit
  • Përmbledhjet e rrugëve
  • Trafikun e VLAN-ve
  • Agregimin e adresave

Këto politika i përdorim për të siguruar rrjetet dhe për të konservuar resurset e rrjetit duke parandaluar trafikun e panevojshëm të kaloj në nivele tjera. Nëse në një rrjet kemi të implementuar dy apo më shumë protokolle të rrugëtimit, si p.sh protokollin OSPF dhe EIGRP, atëherë informata në mes të këtyre dy protokolleve do të bashkëndahen apo rishpërndahen mu në shtresën e distribucionit.

Shtresa e qasjes (ang. Access layer) –  ofron hyrjen e trafikut në rrjetë si dhe aplikon kontrollet e ndryshme të qasjes në rrjetë. Përdoruesi fundor i qaset resurseve të rrjetit nëpërmjet kësaj shtrese. Duke e pasur këtë rol shtresa e qasjes implementon listat e kontrollit të qasjeve për të parandaluar përdoruesit e paautorizuar të qasen në resurset e ndryshme të rrjetit.

Karakteristikat kryesore të rrjeteve të shkallëzuara

Edhe pse çdo rrjet e madhe i ka karakteristikat e veta unike, të gjitha rrjetet e shkallëzuar kanë atribute esenciale të përbashkëta. Një rrjet e shkallëzuar i përmban pesë karakteristika kyçe:

Rrjet i besueshëm dhe i disponueshëm – një rrjet e besueshme duhet të ofroj kualitet të shërbimit (QoS) për aplikacionet dhe protokolle të ndryshme pa e afektuar performancën komunikuese të kompjuterëve. Rrjeti i besueshëm dhe në dispozicion u jep përdoruesve qasje në resurse dhe shërbime 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë. Në një rrjet shumë të besueshme dhe në dispozicion, toleranca ndaj dështimeve dhe redundanca i bëjnë ndërprerjet dhe dështimet të padukshme për përdoruesit e fundëm.

Rrjeti me reagim të shpejtë – duhet të jetë në gjendje të reagoj shpejt ndaj latencave në rrjet dhe në të njëjtën kohë duhet të rrugëtojë trafikun e kompjuterëve pa ndikuar në performancën e shërbimit të kualitetit (QoS). Gjatë punës në rrjet përdoruesit presin që resurset e rrjetit të reagojnë shpejt duke u lënë përshtypje se aplikacionet e rrjetit ekzekutohen nga disku i ngurtë lokal.

Rrjetet efikase – Një rrjet efikase nuk duhet të qojë dëm bandwidthin, veçanërisht mbi lidhjet e kushtueshme të WAN-it. Për të qenë një rrjet efikas, ruterët duhet të parandalojnë trafikun e panevojshme që ta përshkojë WAN-in si dhe të minimizohen përmasat dhe frekuenca e përditësimeve të protokolleve të rrugëtimit.

Rrjet i adaptueshëm – duhet të jetë në gjendje të trajtojë shtimin e shërbimeve dhe ko-ekzistencën e protokolleve të shumta të rrugëtimit dhe të rrugëtuara, duke përfshirë këtu:

  • Protokollin IPv4
  • Protokollin IPv6
  • Si dhe protokollet më të vjetra si IPX

Rrjet e qasshme – i mundësojnë përdoruesve që të kyçen në rrjet duke përdorur teknologji të ndryshme WAN. Ndërsa përdoruesit e rrjetave LAN zakonisht lidhen me ruter në shtresën e qasjes duke e përdorur teknologjinë ethernet.

About selmanhaxhijaha
SELMAN HAXHIJAHA ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master në Universitetin për Biznes dhe Teknologji (UBT) në Prishtinë. Specializimin për rrjetet kompjuterike e ka përfunduar në Universitetin e Anglisë Qendrore në Birmingham të Britanisë së Madhe. Është Instruktor i certifikuar i Akademisë Cisco i rrjeteve kompjuterike CCAI dhe Trajner i certifikuar i programeve Microsoft MCT. Me një përvojë prej me shumë se 10 vjet në fushën e Teknologjisë Informatike, Haxhijaha ka punuar në shumë projekte implementimi të rrjeteve kompjuterike dhe infrastrukturave të mëdha serverike në Kosovë, në Shqipëri dhe në Belgjikë. Aktualisht, ai është duke punuar si Ligjërues në Kolegjin UBT dhe si konsulent për kompani të ndryshme në Kosovë dhe në Belgjikë.

Leave a comment

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.